Rotary Club Tirana
 
   
 

 

 

 

Tiranë, më 07 Dhjetor 2006

 

          STATUTI  i   KLUBIT  ROTARIAN  të  TIRANËS

 

NENI 1.   Përkufizime:
Ashtu siç janë përdorur në këtë statut, dhe në se në përmbajtje nuk përcaktohet ndryshe, termat që jepen në këtë nen kanë kuptimin që vijon:

  1. Këshilli: Këshilli drejtues i klubit.
  2. Rregullorja:  Rregullorja e këtij klubi.
  3. Këshilltari:   Antari i këshillit drejtues.
  4. Antari:   Një antar i këtij klubi, që nuk është antar nderi.
  5. RI:    Rotary International (Rotary Ndërkombëtar).
  6. Viti:  Periudha dymbëdhjetëmujore, që fillon më 1 korrik.

 

NENI 2.   Emri:
Emri i kësaj shoqate është:   KLUBI  ROTARIAN  i  TIRANËS  (Antar i Rotary International)
Në komunikimet  ndërkombëtare emri i kësaj shoqate është: Rotary Club of Tiranë, Shqipëri.

 

NENI 3. Vendndodhja e klubit:
Kufijtë teritorialë të këtij Klubi janë kufijtë e sotëm zyrtarë të Republikës së Shqipërisë, por me përjashtim të Qarqeve të Durrsit dhe Korçës, në Republikën e Shqipërisë.

 

NENI 4.  Qëllimi:

Qëllimi i Rotarit është përhapja e idealit për të shërbyer, e kuptuar si një motor dhe nxitës i çdo veprimtarie. Në veçanti ai merr, përsipër që:
E para.  Të nxisë e të zhvillojë marëdhëniet miqësore midis antarëve të vet për  t’i bërë ata më  të aftë për t’i  shërbyer interesit të përgjithshëm.
E dyta.  Të informojë për parimet e ndershmërisë më të lartë  në ushtrimin e  profesionit  e të biznesit,  të pranojë nderimin e çdo punësimi të dobishëm dhe të bëjë që këto të ushtrohen në mënyrën më të përsosur, si mjete për t’i shërbyer shoqërisë.
E treta:  Drejtimin e veprimtarisë private,  profesionale e publike të çdo antari të klubit sipas konceptit të shërbimit. (Në këtë të fundit përfshihet edhe gjetja e shpërndarja e ndihmave humanitare për njerëzit nevojtarë).
E katërta:  Përçimin e mirëkuptimit  të ndërsjelltë, të dëshirës së mirë dhe të paqes midis kombeve nëpërmjet përhapjes në botë të marëdhenieve miqësore midis individëve që kryejnë veprimtari ekonomike dhe profesionale nga më të ndryshmet,  të bashkuar  me qëllimin dhe dëshirën e përbashkët  për të shërbyer.

 

NENI 5.   Mbledhjet.
Pika 1. -  Mbledhjet e zakonëshme .

  1. Dita dhe ora. Ky klub zhvillon një mbledhje të zakonëshme një herë në javë në ditën dhe orën e caktuar në Rregulloren e tij.
  2. Ndryshimet.  Me arsye të bazuara, këshilli mund të çvendosë një mbledhje në një ditë tjetër por përpara datës së mbledhjes pasonjëse ose mund ta çvendosë atë në një orë të ndryshme të ditës  së  zakonëshme, ose në një vend të ndryshëm nga ai i zakonshëm.
  3. Prapsimet.  Këshilli mund të prapsojë një mbledhje  kur ajo bie në një ditë feste të caktuar me ligj, në rastin e vdekjes së një antari të klubit, ose në rast të një konflikti të armatosur që mund të vërë në rrezik jetën e antarëve.  Këshilli mund të prapsojë deri në katër mbledhje gjatë një viti, për shkaqe të ndryshme nga ato të lartpërmendura , por me kusht që të bëhen mbledhje të paktën tre herë rresht.

Pika 2.  – Mbledhja vjetore. Rregullorja përcakton që mbledhja vjetore për zgjedhjen e drejtuesve të zhvillohet jo më vonë se 31 dhjetori, sipas përcaktimit të bërë në rregullore.

 

NENI 6. Antarësia:
Pika 1. - Kërkesa të përgjithëshme.  Klubi përbëhet nga persona të rritur, me ndershmëri të padiskutueshme  e me emër të mirë si profesionistë.
Pika 2. Llojet e antarëve.  Klubi ka dy lloje antarësh:  Antarë Aktivë dhe Antarë Nderi.
Pika 3 . Antarët aktivë.  Një antar aktiv i klubit mund të pranohet në se plotëson kërkesat që përcaktohen në nenin 5, pika 2 të statutit të Rotarit Ndërkombëtar.
Pika 4Transferimi i një ish rotariani.  Një antar mund të propozojë për antar aktiv një rotarian që vjen nga një klub tjetër, antarësia e të cilit është ndërprerë për shkak të transferimit të aktivitetit profesional jashtë kufinjve territorialë të klubit ku ka qenë antar. Ish antari mund të propozohet edhe nga klubi i mëparshëm. Rotariani që transferohet lejohet të pranohet në të njëjtin klasifikim që ka patur, edhe sikur të tejkalohet përkohësisht kufiri i pranimeve në atë klasifikim.
Pika 5Pjesëmarrja e dyfishtë:  Askush nuk mund të jetë njëkohësisht antar aktiv  në këtë klub dhe në një klub tjetër. Askush nuk mund të jetë njëkohësisht antar aktiv  ose nderi në këtë klub. Askush nuk mund të jetë antar aktivi këtij klubi dhe antar i një klubi Rotarakt.
Pika 6. Antarët e nderit.
(a)  Pranimi. Mund të pranohen si antarë nderi të klubit njerzit që janë dalluar në shërbim të idealeve rotariane dhe njerzit që kanë dhënë prova për mbështetjen e vazhdueshme të çështjes së rotarit. Afati i vlefshmërisë së kësaj antarësie përcaktohet nga këshilli. Një antar nderi mund të jetë i tillë në më shumë se një klub.
 (b)  Të drejtat e privilegjet: Antarët e nderit përjashtohen nga pagimi i taksës së pranimit dhe i kuotave, nuk ka të drejtën e votës, nuk mund të zgjidhen në postet drejtuese të klubit dhe nuk quhen mbajtes të klasifikimit, por kanë të drejtën e pjesëmarjes në cilëndo mbledhje dhe gëzojnë të gjithë privilegjet e tjera të klubit.  E vetmja e drejtë dhe privilegj që antarët e nderit gëzojnë në një klub tjetër, është që ta vizitojnë atë pa qenë të ftuar nga ndonjë Rotarian.
Pika 7Titullarët e detyrave publike.  Të zgjedhurit ose të emruarit për një kohë të kufizuar në administratën publike nuk mund të pranohen në klub sipas klasifikimit të funksioneve që mbajnë. Përjashtohen nga ky rregull të punësuarit në sistemin e drejtësisë dhe në institucionet e mësimdhënies të niveleve të ndryshme.  Antarët që zgjidhen ose emrohen në një detyrë publike për një perjudhë të kufizuar do të vazhdojnë të mbajnë klasifikimin fillestar edhe gjatë kohës që janë në atë detyrë.
Pika 8. Punësimi pranë  Rotarit Ndërkombëtar. Cilido që është i punësuar nga RI mund të jetë edhe antar i klubit.

 

NENI 7  Klasifikimet
Pika 1. – Masa të përgjithëshme.
(a)  Aktiviteti kryesor: Çdo anëtar klasifikohet në bazë të veprimtarisë së tij profesionale. Klasifikimi është ai që përshkruan  veprimtarinë kryesore të antarit ose të ndërmarrjes, shoqërisë ose entit të cilit ai i përket. 
(b)  Korrigjimet.  Po qe se rrethanat e përligjin, këshilli drejtues mund të korigjojë ose të përshtasë klasifikimin e çdo antari. Në këtë rast, antari duhet të njoftohet për korigjimin dhe ka të drejtë që të shprehë mendimin e tij lidhur me këtë.  
Pika 2. - Kufizimet.  Klubi nuk mund të pranojë një antar aktiv në një klasifikim që është i zënë nga pesë ose më shumë antarë, por në rast se klubi ka më shumë se 50 antarë mund të pranohet një antar aktiv në një klasifikim me kusht që numri i mbajtësve të atij klasifikimi mos të jetë më i madh se 10 % të antarëve aktivë të klubit. Numri i përgjithshëm i përfaqësuesve të një klasifikimi nuk përfshin antarët pensionistë. Rotariani që transferohet lejohet të pranohet në të njëjtin klasifikim që ka patur, edhe sikur të tejkalohet përkohësisht kufiri i pranimeve në atë klasifikim. Pavarësisht nga kufizimet e mësipërme, një antar që ndron klasifikimin mund të ruajë antarësimin në klub duke përfaqësuar klasifikimin e ri.

 

NENI 8.  Pjesëmarrja.
Pika 1. Masa të përgjithëshme.  Çdo antar i klubit duhet të marrë pjesë në mbledhjet e zakonëshme të tij.  Një antar llogaritet si pjesëmarrës në një mbledhje të rregullt në qoftë se ka marrë pjesë të paktën në 60 % të kohës, ose, në se detyrohet papritmas të mungojë nga mbledhja, më pas i vërteton këshillit në mënyrë të kënaqëshme se mungesa u shkaktua për shkaqe të vlefshme, ose, së fundi, kur e zëvendëson mungesën në njërën nga mënyrat vijuese:
(a).  14 ditë para ose mbas mbledhjes. Në qoftë se 14 ditë para ose pas orarit të zakonshën të kësaj mbledhje ky antar:
(1)  merr pjesë për të paktën 60% të kohës së një mbledhjeje të rregullt të një klubi tjeter ose të një klubi të përkohëshëm.
(2) merr pjesë në një mbledhje të një klubi Rotarakt ose Interakt, të një Grupi Rotarian të Bashkësisë, të një shoqate rotariane, të një klubi provizor Rotarakt ose Interakt, të një Grupi Rotarian të përkohshëm të Bashkësisë ose të një shoqate të përkohëshme rotariane.
(3) merr pjesë në një kongres te RI, në një këshill të legjislacionit, në një asamble internacionale, në një institut të rotarit për ish drejtuesit, drejtuesit e tanishëm e të ardhëshëm të RI, ose në çfardo mbledhje të thirrur nga Këshilli Qendror i RI (ose nga presidenti i RI që vepron në emër të Këshillit), në një kongres shumëkombësh të Rotarit, në një mbledhje të një komisioni të RI, në një kongres distriktor, në një asamble distriktore, në një çfarëdo mbledhje distriktore që zhvillohet me vendim të Këshillit Qendror të RI, në një mbledhje të një komisjoni distriktor që zhvillohet me kërkesë të governatorit ose në një mbledhje ndërqytetëse të klubit rregullisht të njoftuar.
(4) paraqitet në vendin dhe në orën e zakonëshme të mbledhjes së një klubi tjetër për të marrë pjesë në të, pa mundur të marrë pjesë sepse mbledhja nuk zhvillohet.
(5) merr pjesë në një projekt shërbimi të klubit, në një ngjarje ose takim të sponsorizuar nga klubi e të miratuar nga këshilli i tij.
(6) merr pjesë në një mbledhje të këshillit ose, kur është autorizuar prej tij, në një mbledhje të një komisioni në të cilin është caktuar.
(7) merr pjesë nëpërmjet adresës në internet të një klubi në një veprimtari ndërvepruese që kërkon të paktën 30 minuta.
Kur një antar ndodhet jashtë vendit të tij të banimit për më shumë se 14 ditë, rregulli i 14 ditëve nuk do të zbatohet, për t’i dhënë mundësinë antarit që në çdo orë të marrë pjesë në mbledhje në një shtet tjetër në të cilin ndodhet. Çdo pjesëmarrje e tillë quhet  e vlefshme për të zëvendësuar mungesat në mbledhje kur ai ka qenë jashtë shtetit.
(b).  periudhën e mbledhjes. Në qoftë se në periudhën e mbledhjes, antari ndodhet
(1)  në udhëtim për të shkuar mundësisht  sa më shkurt për në një nga mbledhjet e përmendura në nënpikën (a) (3) të kësaj pike, ose për kthimin prej andej;
(2)  në udhëtim për punë rotarjane në cilësinë e drejtuesit apo antarit të një komisioni të RI ose si administrator i Fondacionit Rotari;
(3)  në udhëtim për punë rotariane në cilësinë e përfaqësuesit të veçantë të governatorit të distriktit me rastin e formimit të një klubi të ri;
(4)  në udhëtim për punë rotariane si nëpunës i RI;
   (5)  i përfshirë drejtpërdrejt dhe aktivisht në një projekt të shërbimeve të sponsorizuara nga distrikti,  nga RI ose nga Fondacioni Rotari në një zonë të largët në të cilën nuk ka mundësi për zëvendësimin e mungesës;
(6)  i përfshirë në zgjidhjen e një detyre Rotariane, shprehimisht i ngarkuar nga këshilli që ja bën të pamundur pjesëmarjen në mbledhje.
Pika 2Mungesat e zgjatura për arsye pune. Në qoftë se një antar shkon për një periudhë të zgjatur për arsye pune në një vend tjetër, pjesëmarrja në mbledhjet e klubit ku është antar zëvendësohet me pjesëmarrjen në mbledhjet e një klubi tjetër në vendin ku ka vajtur, me kusht që të bëhet një marrëveshje midis dy klubeve.
Pika 2Mungesat e lejueshme. Mungesa e një antari mund të falet në rast se

  1. kjo mungesë del e përputhur me kushtet dhe rrethanat e miratuara nga këshilli. Këshilli mund të përligjë mungesën e një antari për shkaqe që i quan të vlefshëm dhe të mjafueshëm.
  2. shuma e moshës së antarit dhe viteve të tij të antarësimit në një ose disa klube, është jo më pak se 85 vjet dhe antari ka njoftuar me shkrim sekretarin e klubit të vet për dëshirën që të mungojë, duke marrë lejen e këshillit.

Pika 3Mungesa e drejtuesve të RI. Mungesa e një antari është e përligjur në qoftë se ai është një drejtues i RI.
Pika 5Rregjistri i mungesave. Një antar, mungesat e të cilit janë përligjur siç përcaktohet në pikat 2 dhe 3 të këtij neni, nuk numurohet gjatë llogaritjes së pranisë dhe mungesave në mbledhjet e klubit.

 

NENI 9  Këshilltarët dhe Drejtuesit.
Pika 1 Trupa e drejtuesve.     Trupa drejtuese e klubit përfaqësohet nga këshilli drejtues, i zgjedhur dhe  i përbërë në përputhje me rregulloren e klubit.
Pika 2  Autoriteti.        Këshilli shtrin autoritetin e tij mbi të gjithë drejtuesit e komisionet  dhe për motive të bazuara mund  të deklarojë të lirë çdo post drejtues.
Pika 3  Vendimet e këshillit.    Vendimet e këshillit mbi gjithshka që ka të bëjë me klubin  janë përfundimtarë dhe i nënshtrohen vetëm ankesës në klub. Megjithatë, kur këshilli vendos të ndërpresë antarësimin e një antari, ky mund të ankohet në klub, të kërkojë ndërmjetësimin, ose të përfitojë nga e drejta e arbitrimit, siç përcaktohet në nenin 11, pika 6. Në rasin e ankesës, vendimi mund të rrëzohet vetëm nga votat e dy të tretave të antarëve të pranishëm në një mbledhje të zakonëshme, në të cilën  është i pranishëm  një numur legal i pjesëmarrësve dhe kur  njoftimi për këtë ankimim i është dhënë nga sekretari të gjithë antarëve të klubit të paktën pesë (5) ditë përpara kësaj mbledhjeje. Në rastine ankesës, vendimi i klubit është përfundimtar.
Pika 4  Drejtuesit.       Drejtuesit e klubit janë: presidenti, presidenti i zgjedhur, një ose disa nënpresidentë, që janë antarë të këshillit, si edhe sekretari, thesartari dhe shefi i protokollit, që mund të jenë ose jo antarë të këshillit, sipas përcaktimit të rregullores së klubit.
Pika 5  Zgjedhja e drejtuesve.
(a) Mandati i drejtuesve (përjashtuar presidenti) Drejtuesit zgjidhen siç përcaktohet në rregulloren e klubit dhe, përveç presidentit, marrin detyrën  në 1 Korrikun që vjen pas zgjedhjes së tyre dhe qëndrojnë në fuqi për  perjudhën përkatëse ose derisa pasonjësit e tyre zgjidhen apo marrin në dorëzim detyrën.
(b) Mandati i presidentit. Presidenti zgjidhet siç përcaktohet në regulloren e klubit, jo më herët se 18 muaj dhe jo më vonë se dy vjet nga data e marrjes së detyrës dhe menjëherë merr emërtimin e presidentit të caktuar.  Ai bëhet president i zgjedhur sapo zgjidhet pasonjësi i tij. Ai merr detyrën më 1 korrik dhe qendron në atë detyrë për një vit, ose deri sa zgjidhet dhe bëhet i gatshëm të marë detyrën  pasonjësi i tij.
(c) Cilësitë. Të gjithë drejtuesit dhe antarët e këshillit janë antarë të rregulltë të klubit. Presidenti i zgjedhur duhet të marrë pjesë në seminarin e instruktimit të presidentëve të zgjedhur dhe në asamblenë e distriktit, veç në qoftë se governatori i zgjedhur e liron nga ky detyrim.  Në këtë rast presidenti i zgjedhur do të dërgojë atje një përfaqësues të tij, me detyrën që ta njohë atë me punimet. Në se nuk kryhet asnjë nga pjesëmarrjet e mësipërme, presidenti i zgjedhur nuk mund të marrë detyrën e presidentit të klubit.

 

NENI 10. Detyrimi i Antarësimit dhe Kuotat Shoqërore.
Çdo antar paguan  detyrimin e pranimit dhe kuotat vjetore të parashikuara nga rregullorja, me përjashtimin e antarëve që vinë nga klubet e tjerë dhe pranohen, që nuk e paguajnë dy herë këtë detyrim (neni6, pika 4).

 

NENI 11.  Kohëzgjatja e pjesëmarrjes në klub.
Pika 1  Kohëzgjatja.  Pjesëmarrja në klub zgjat për të gjithë kohën për të cilën ekziston klubi me përjashtim të ndërprerjes për një nga shkaqet e mëposhtëm.
Pika 2  Ndërprerja e vetvetishme.
(a)        Cilësitë. Një antar pushon vetvetiu së qenuri pjestar i klubit  kur nuk zotëron më kushtet e nevojshme për të marë pjesë, me përjashtimin kur:
(1)  Këshilli mund t’i japë një antari që lë territorin e klubit një leje të veçantë e shumta për një vit, që t’i bëhet e mundur atij që të vizitojë një klub të qytetit ku vendoset dhe që të bëhet aty i njohur, me kusht që klasifikimi i tij të mbetet i pandryshuar dhe ai të vazhdojë që të  përmbushë detyrimet e tjera të pjesëmarrjes në klub.
(2) Këshilli drejtues mund të lejojë një antar që transferohet jashtë territorrit të klubit që të bëjë pjesë në klubin në fjalë me kusht që të ruajë klasifikimin e vet dhe që të vazhdojë që të përmbushë detyrimet e tjera të pjesëmarrjes në klub.
(b)        Ripranimi:  Një antar pjesëmarrja e të cilit është ndërprerë për një nga shkaqet e parashikuara në pikën (a) mund të kërkojë që të rifutet në klub duke përfaqësuar të njëjtin klasifikim ose duke kërkuar një klasifikim tjetër, pa derdhur një detyrim të ri pranimi.
(c)        Ndërprerja e antarësimit si antar i nderit. Një antar nderi pushon së qeni i tillë në fund të periudhës së përcaktuar nga këshilli për këtë antarësim. Gjithsesi, këshilli mund ta zgjasë këtë periudhë, ashtu siç mund edhe ta heqë antarësimin e nderit në cilindo çast.
Pika 3  Ndërprerja  për mospagimin e detyrimeve.
(a)        Mënyra e veprimit. Një antar, që nuk ka paguar kuotat e veta brënda 30 ditëve pas mbarimit të afatit të caktuar, ftohet nga sekretari nëpërmjet një letre me shkrim që t’i derdhë ato. Letra i dërgohet atij në adresën e fundit që ai ka dhënë. Këshilli mund të vendosë që t’ja heqë atij antarësimin kur kuotat nuk derdhen brenda 10 ditëve nga data e njoftimit.
(b)        Ripranimi. Një antar i tillë mund të ripranohet nga këshilli kundrejt kërkesës së tij dhe pas pagimit të të gjitha shumave që i detyrohet klubit, por pa cënuar pikën 2 të Nenit 7 të këtij statuti.
Pika 4  Ndërprerja nga mospjesëmarrja.
(a)        Përqindjet e pjesëmarrjes. Çdo antar duhet:
(1) Të marrë pjesë ose të zëvendësojë të paktën në  60% të mbledhjeve të rregullta të klubit të tij në secilën gjysmë të vitit.
(2) Të marrë pjesë në të paktën 30% të mbledhjeve të rregullta të klubit të tij në secilën gjysmë të vitit.  Antarët që nuk plotësojnë këto kushte humbin pjesëmarrjen në klub, veç në qoftë se këshilli do t’i ketë liruar nga detyrat e mësipërme për arsye të vlefshme.
(b)        Mungesat e njëpasnjëshme. Çdo antar që mungon në katër mbledhje të njëpasnjëshme pa i zëvendësuar ato, pa qenë i lejuar nga këshilli për arsye të vlefshme ose siç përcaktohet në nenin 8, Pika 3 ose 4, informohet nga këshilli se mungesa e tij mund të quhet si heqie dorë nga pjesëmarrja në klub dhe se këshilli me shumicën e votave mund të ndërpresë antarësimin e tij.
Pika 5  Ndërprerja për shkaqe të tjera.
(a)        Shkaqet e vlefshëm. Këshilli mund të shpallë të hequr nga klubi cilindo antar që pushon së plotësuari kushtet e nevojshëm për të bërë pjesë në klub, ose për shkaqe të tjerë vlefshëm,  me votat e të paktën 2/3 të antarëve të vet, në një mbledhje të thirrur qëllimisht.
(b)        Paralajmërimi. Këshilli duhet të paralajmërojë antarin mbi qëllimin e tij, nëpërmjet njoftimi  me shkrim të paktën 10 ditë përpara.  Antari mund t’i parashtrojë këshillit një përgjigje me shkrim ose të paraqitet përpara këshillit për të dhënë shpjegimet e veta.  Njoftimi atij duhet t’i jepet personalisht ose t’i çohet me postë të porositur në adresën e fundit të ditur.
(c)        Ngrirja e klasifikimit. Kur këshilli ka përjashtuar një antar në përputhje me shkaqet e shtjelluar më sipër, klubi nuk mund të pranojë një antar të ri në klasifikimin e tij, para përfundimit të afatit të shqyrtimit të ankesës dhe njoftimit të vendimit përfundimtar të marrë nga klubi ose nga arbitrat.
Pika 6  E drejta e ankesës, ndërmjetësimit ose gjykimit.
(a)        Paralajmërimi. Brenda 7 ditëve duke filluar nga dita e vendimit për largim nga klubi, sekretari i nis antarit njoftimin me shkrim.  Brenda 14 ditësh nga data e nisjes së njoftimit, antari mund të njoftojë me shkrim sekretarin për qëllimin e tij për t’u ankuar në klub, për të kërkuar ndërmjetësin, ose për të kërkuar një gjykim, sipas përcaktimit të nenit 15.
(b)        Dëgjimi në rastin e ankimit: Në rastin e ankimit, këshilli cakton një datë për dëgjimin e ankimit në një mbledhje të zakonëshme të klubit, që duhet të jetë brenda 21 ditëve nga marrja e njoftimit për ankim.  Antarëve të klubit duhet t’i dërgohet një njoftim për çështjen që do të shqyrtohet të paktën 5 ditë përpara mbledhjes. Vetëm antarët e klubit mund të marrin pjesë në këtë mbledhje.
(c)        Ndërmjetësimi ose gjykimi: Ecunia e ndërmjetësimit ose e gjykimit është siç përcaktohet në Nenin 15.
(d)        Ankimi:  Në rastin e ankimit, vendimi i klubit është përfundimtar dhe detyrues për të gjitha palët dhe nuk do t’i nënshtrohet gjykimit.
(e)        Vendimi i gjykatësve:  Në rastin e gjykimit, vendimi i gjykatësve, ose vendimi i gjykatësit të tretë në rastin kur gjykatësit nuk bien në një mendje, është përfundimtar për të gjitha palët dhe nuk do t’i nënshtrohet ankimit.
(f)         Ndërmjetësimi i pasuksesëshëm: Kur kërkohet ndërmjetësim dhe del i pasuksesëshëm, antari mund të ankohet në klub ose të kërkojë gjykim, siç përcaktohet në nënpikën (a) të kësaj pike.
Pika 7    Vendimet e këshillit. Vendimi i këshillit bëhet përfundimtar  kur mungon ankesa në klub ose kërkesa për arbitrazh.
Pika 8    Dorëheqja.  Dorëheqja e një antari nga ky klub duhet të njoftohet me shkrim presidentit apo sekretarit dhe pranohet nga këshilli me kusht që antari të jetë në rregull me pagimin e shumave që i detyrohet klubit.
Pika 9    Humbja e te drejtave mbi pasurinë shoqërore.  Cilido që ka pushuar për cilëndo arsye së qenuri antar i klubit humbet çdo të drejtë mbi fondet ose pasuritë e tjera që i përkasin klubit.

 

NENI 12         Çështjet vendore, kombëtare dhe ndërkombëtare.
Pika 1     Çështjet e përshtatëshme. Antarëve të këtij klubi duhet t'i interesojë gjithënjë mirëqënia e përgjithëshme e bashkësisë, e kombit dhe e botës. Çdo çështje publike që ka të bëjë me këtë mirëqënie duhet të jetë objekt i gjykimit dhe diskutimit gjatë mbledhjeve të klubit, në mënyrë që antarët të krijojnë një përshtypje të vetën.  Gjithsesi klubi nuk duhet të shprehet për çështje publike të kundërshtueshme që janë duke u miratuar.
Pika 2    Paanshmëria. Ky klub nuk mund të mbështesë, as të rekomandojë kandidatë për poste publike, as të diskutojë gjatë mbledhjeve të veta mbi meritat apo mungesat tek këta kandidatë.
Pika 3    Mospolitikëzimi.
(a)  Vendimet dhe gjykimet.  Klubi nuk duhet të adoptojë, as të përhapë vendime ose gjykime as të marrë vendime në lidhje me çështje të karakterit ndërkombëtar të natyrës politike.
(b)  Thirrjet.  Klubi nuk duhet t’i drejtojë thirrje klubeve, popujve, ose qeverive, as të përhapë letra, diskutime apo programe për zgjidhjen e problemeve specifike ndërkombëtare të natyrës politike.
Pika 4    Njohja e Fillimit të Jetës së Rotarit.  Java në të cilën bie përvjetori i themelimit të rotarit (23 shkurti) është caktuar si Java e Paqes dhe e Mirëkuptimit Ndërkombëtar. Gjatë kësaj jave klubi nderon shërbimin rotarian, gjykon mbi arritjet dhe përqendrohet në programet që synojnë nxitjen e paqes, mirëkuptimit dhe dëshirës së mirë në bashkësi e në botë.

 

NENI 13.  Revistat rotariane.
Pika 1    Pajtimi i detyruar.  Në qoftë se ky klub nuk është lejuar nga Këshilli Qendror, në përputhje me rregulloren e RI, që të mos zbatojë detyrimet e parashtruara në këtë nen, atëhere çdo antar pajtohet në mënyrë të përherëshme në revistën zyrtare të RI, ose në një reviste rajonale rotarjane, të miratuar dhe të caktuar për këtë klub nga Këshilli Qendror.  Pajtimi është 6 mujor dhe vazhdon për të gjithë kohën e pjesëmarjes së antarit në klub, sidoqoftë deri në përfundim të gjashtëmujorit gjatë të cilit antari pushon pjesëmarrjen në klub.
Pika 2    Arkëtimet.  Klubi arkëton nga çdo antar me parapagim çdo gjashtëmujor vlerën e pajtimit, e cila i transferohet Sekretarisë se RI ose zyrës së botimit rajonal të caktuar siç është vendosur nga Këshilli Qendror.

 

NENI 14   Pranimi i qëllimit të Rotarit dhe respektimi i statutit dhe i regullores.
Me pagimin e taksës së pranimit dhe të kuotave shoqërore, antari pranon parimet e rotarit siç janë shprehur në "Qëllimi" dhe zotohet që të respektojë  statutin dhe rregulloren e këtij klubi, dhe që të kushtëzohet prei tyre, dhe vetëm në këto kushte ka të drejtat dhe privilegjet e klubit. Asnjë antar nuk mund të lejohet që të shmanget nga zbatimi i statutit dhe regullores duke paraqitur si shkak se nuk ka patur kopjet e tyre.

 

NENI 15  Gjykimi e Ndërmjetësimi
Pika 1  Kundërshtitë.   Në rast kundërshtie midis një antari ose ish antari nga njëra anë dhe klubit, një drejtusi apo këshillit nga ana tjetër, në lidhje me një çështje që nuk ka të bëjë me një vendim të këshillit dhe  që nuk mund të zgjidhet me ndihmën e procedurës së vendosur enkas për këto raste, kundërshtia i parashtrohet ndërmjetësimit ose gjykimit, nëpërmjet kërkesës që i drejtohet sekretarit nga njera ose të dya palët.
Pika 2  Data e ndërmjetësimit ose e gjykimit. Këshilli, në mirkuptim me palët, cakton një datë brenda 21 ditëve nga data e marrjes së kërkesës.
Pika 3  Ndërmjetësimi.  Ndërmjetësimi kryhet sipas mënyrës së njohur nga një institucion i aftë, ose sipas këshillës së një organizmi ndërmjetësues që gëzon përvojë në ndërmjetësimin e kundërshtive, ose sipas udhëzimeve të Këshillit Qendror të RI apo të Këshillir Drejtues të Fondacionit të Rotarit. Vetëm antari i një klubi mund të caktohet si ndërmjetësues. Klubi mund të kërkojë që të jetë governatori apo përfaqësuesi i tij ai që do të caktojë ndërmjetësuesit, gjithsesi antar i një klubi, me aftësinë dhe përvojën e nevojëshme.

  1. Përfundimi i ndërmjetësimit.   Përfundimi i arritur ose vendimet e marra së bashku nga palët e ndërmjetësuara ërpilohen me shkrim. Nga një kopje e mban ndërmjetësi dhe secila nga palët dhe një kopje i dorzohet sekretarit për këshillin. Gjithashtu përgatitet një përshkrim përmbledhës i përfundimit, i pranueshëm nga palët, që i bëhet i ditur për klubit.  Secila nga palët, nëpërmjet presidentit apo sekretarit mund të kërkojë një ndërmjetësim tjetër, në qoftë se pala tjetër nuk i qendron në mënyrë thelbësore  përfundimit të arritur.
  2. Ndërmjetësimi i paarritshëm.   Në qoftë se ndërmjetësimi dështon antari ka të drejtën e një gjykimi sipas pikës 1 të mësipërme.

Pika 4  Gjykimi.    Në rastin e kërkesës për gjykim, çdonjëra nga dy palët cakton një gjykatës dhe gjykatësit  caktojnë një gjykatës të tretë. Gjykatësit dhe gjykatësi i tretë duhet të jenë antarë të një klubi rotarian.
Pika 5  Vendimi i gjykatësve apo i gjykatësit të tretë.  Në rastin e gjykimit, vendimi i gjykatësve, ose vendimi i gjykatësit të tretë kur këta nuk bien në një mendje, është përfundimtar për të gjitha palët dhe nuk do t’i nënshtrohet apelit.

 

NENI 16.   Rregullorja
Ky klub miraton një regullore që nuk duhet të jetë me mospërputhje me Statutin dhe me Rregulloren e RI, me normat për drejtimin e një zone, atje ku ato janë, ose me këtë statut.  Rregullorja mund të përmbajë dispozita shtesë për drejtimin e këtij klubi.  Rregullorja mund të ndryshojë herë pas here sikurse ajo e përcakton.

 

NENI 17.  Shpjegim
Çdo përmendje në këtë statut e “njoftim me shkrim”, “letër”, “kërkesë”, në cilëndë formë që të shfaqet, nënkupton si përdorimin e postës së zakonëshme ashtu edhe atë të postës elektronike e internetit, si mjet për uljen e shpenzimeve e rritjen e shpejtësisë së ndërlidhjes.

 

NENI 18  Amendamentët
Pika 1  Mënyrat.  Me përjashtim të sa është përcaktuar në pikën 2 të këtij neni, ky statut mund të amendamentohet vetëm nga Këshilli i Legjislacionit,  në të njëjtën mënyrë siç është caktuar në Rregulloren e RI për amendimin e rregullores së vet.
Pika 2  Amendimi i Nenit 2 dhe Nenit 3.  Nenet 2 ( emërtimi) dhe 3 (kufijtë teritorialë të klubit) të këtij statuti mund të amendohen në çfarëdo mbledhje të rregullt në të cilën të jetë i pranishëm kuorumi, përmes votës pohuese të jo më pak se dy të tretave të antarëve të pranishëm e votues,  me kusht që propozimi i amendamentit t'i njoftohet me shkrim çdo antari, të paktën 10 ditë përpara mbledhjes dhe me kusht që t’i parashtrohet për miratim Këshillit Qendror të RI.  Vendimi hyn në fuqi vetëm pas këtij miratimi.

 

 

 

 

 

 

www.rotarytirana.org
 
Copyright (C) 2007, Rotary Club Tirana, all rights reserved.